Tuesday, 14 July 2020 | Lajme: 0

Çfarë përjeton shpirti i muslimanit në jetën e varrit?

Në “El-Musned” përmendet hadithi i transmetuar nga El-Bera’ë Bin Azibi, i cili ka thënë:
“Bashkë me të Dërguarin e Allahut dolëm për të përcjellë xhenazen e njërit prej burrave nga ensarët, derisa arritëm te një varr, të cilit nuk i ishte bërë akoma lavdi . I Dërguari i Allahut u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Dukej sikur mbi kokat tona qëndronte ndonjë zog.
Profeti alejhi selam kishte një shkop në dorë dhe me të gërryente tokën. Ai ngriti kokën dhe tha: “Kërkoni ndihmë nga Allahu prej dënimit të varrit.” I përsëriti këto fjalë dy apo tri herë dhe më pas shtoi: “Me të vërtetë, kur robi besimtar po largohet nga kjo botë dhe po i afrohet tjetrës, atij i zbresin engjëjt prej qiellit me fytyra të bardha. Ata kanë me vete qefinë prej qefinëve të Xhenetit dhe parfume prej parfumeve të tij. I afrohen njeriut aq pranë, sa ç’është edhe shikimi i tij. Më pas vjen engjëlli i vdekjes, i ulet pranë kokës dhe i thotë: “O shpirt i qetë, dil drejt faljes dhe kënaqësisë së Allahut!” Shpirti do të dalë, ashtu siç del pika e ujit nga burimi. Më pas engjëlli i vdekjes do ta marrë shpirtin e tij, por engjëjt e tjerë do t’ia marrin dhe nuk do ta lënë për asnjë çast në dorën e tij (engjëllit të vdekjes), do ta vendosin në qefin, do ta lyejnë me parfumin e Xheneti dhe prej (shpirtit të) tij do të kundërmojë një erë si era e aromës më të mirë që mund të grindet në tokë. Duke u ngjitur në qiell bashkë me të, ata do të hasin në një grup engjëjsh të tjerë, të cilët pyesin: “Ç’është ky shpirt i mirë?” Engjëjt shoqërues do t’u përgjigjen: “Është filani, i biri i filanit” dhe e thirrin atë me emrat më të mirë më të cilët e thërrisnin në jetën e dynjasë. Kur arrijnë te qielli i dynjasë, ata kërkojnë që t’u hapet dera. Ajo hapet dhe banorët e afërt të secilit prej qiejve e përhapin lajmin te njëri-tjetri, derisa arrijnë në qiellin e shtatë. Atëherë, Allahu xh.sh thotë: “Shkruajeni librin e robit tim në Ilij-jin dhe kthejeni në tokë, sepse Unë i kam krijuar prej saj, do t’i kthej përsëri tek ajo dhe nga ajo do t’i nxjerr edhe një herë tjetër”. Pastaj, Profeti (a.s) vazhdoi: “Dhe shpirti do t’i kthehet në tokë e do t’i vijnë dy engjëj, do ta ulin dhe do ta pyesin “Kush është Zoti yt?” Ai do të përgjigjet “Zoti im është Allahu.” Më pas, ata do ta pyesin për herë të dytë: “Cila është feja jote?” Ai do të thotë: ‘Feja ime është Islami.” Engjëjt do të vazhdojnë: “Kush është ai burrë që u dërgua te ju?” Besimtari do të përgjigjet: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut.” Pyetja tjetër e engjëjve do të jetë: “Cila është dija jote?” Ai do të thotë: “Unë kam lexuar librin e Allahut, e kam besuar dhe e kam miratuar atë.” Atëherë, një thirrës do të thërrasë prej qiellit: “Robi im tha të vërtetën, pra shtrojeni me shtroje të Xhenetit, visheni me rroba të Xhenetit dhe hapjani një derë drejt Xhenetit.” Profeti alejhi selam tha: “Atij do t’i vijë era e mirë e Xhenetit dhe varri i tij do të zgjerohet, sa ta ketë shikimin. Do t’i vijë një burrë me fytyrë të bukur, me rroba të mira dhe aromë të këndshme dhe do t’i thotë: “Përgëzohu me atë që të gëzon! Kjo është dita që të ishte premtuar!” Besimtari e pyet: “Kush je ti? Fytyra jote është fytyra e atij që vjen me të mira.” Burri i përgjigjet: “Unë jam puna jote e mirë.” Besimtari thotë: “O Zot, bëje kiametin, o Zot bëje kiametin, në mënyrë që të kthehem te familja dhe te pasuria ime.”