Monday, 13 July 2020 | Lajme: 0

Rikthehet debati/Historianët turq: Perandoria osmane nuk e ka pushtuar Shqipërinë

Prezenca e një grupi historianësh turq në Tiranë, të ardhur posaçërisht për kongresin e 8-të të gjuhës turke, ka rikthyer edhe një herë debatin për ndryshimin dhe rishkrimin e historisë, kur flitet për pushtimin 500-vjeçar otoman. Sot pas më shumë se 5 shekujsh historianët thonë se shtrirja e perandorisë osmane në Ballkan përfshi këtu edhe Shqipërinë nuk ka qenë pushtim, por një bashkëjetesë, një bashkëqeverisje, dhe një administrim i territoreve të këtyre vendeve. “Sot pas 500 vjetësh ne nuk mund të mendojnë si turqit e atëhershëm. Për atë kohë ishte normale që synimi i Perandorisë Osmane për të zgjeruar territoret të konsiderohej pushtim, por sot ne nuk mund të ecim me të njëjtat mendime. Perandoria osmane nuk iu ka pushtuar, ne kemi bashkëjetuar për 500 vjet si popuj, duke krijuar edhe një kulturë të përbashkët që është ruajtur dhe trashëguar edhe në ditët e sotme. Sot ne duhet ta duam njëri-tjetrin, unë personalisht kam një interes të madh për të njohur kulturën dhe zakonet shqiptare,” tha dje për mediat historiani dhe profesori turk, Mehmet Demiryurek. Këto deklarata u bënë gjatë konferencës së 8-të ndërkombëtare të përhapjes së  gjuhës turke në Ballkan, që këtë vit u mbajt në Shqipëri. Në këtë takim që do të zgjas deri më datë 28 shtator kanë marrë pjesë jo vetëm profesorë turq, por edhe pedagogë dhe studentë shqiptarë, kryesisht  të degës së turqishtes të cilët janë ftuar për të marrë pjese në trajnime dhe kurse të ndryshme të njohjes së gjuhës dhe kulturës, që organizohen në Turqi.  Kongresi i i tetë ndërkombëtar i gjuhës turke është zhvilluar në kryeqytetin shqiptar, i organizuar nga Universiteti i Tiranës dhe Bilkent i Turqisë. Marrëdhëniet e forta mes dy vendeve, si edhe numri në rritje i shqiptarëve që studiojnë këtë gjuhë, ka sjellë domosdoshmërinë e mbajtjes së të tilla evenimenteve. Në fakt debati për rishikim dhe korrigjim të disa pjesëve të historisë lindi si fillim në Kosovë, pas vizitës së ministrit turk të arsimit Omer Dinçer. Por kjo kërkesë  për rishikimin e historisë ngjalli mjaft reagime kundra sidomos tek intelektualët (si në Kosovë dhe në Shqipëri). Një grup intelektualësh nga të gjitha trojet shqiptare mes tyre dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare përgatitën një peticion kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. Pyetjes se si duhet emërtuar koha 500-vjeçare e Shqipërisë në Perandorinë Otomane: pushtim, apo bashkëqeverisje, disa intelektuale të tjerë e argumentuan se: pushtimi është një akt që ndodh një herë, dhe se më tej duhet përdorur termi sundim, i cili konfirmohet vazhdimisht me ekspedita ndëshkimore të Portës së Lartë, sa herë tentohet mosbindja ndaj ligjeve të perandorisë, rebelimet, kryengritjet apo krijimi i formacioneve autonome/gjysmë-autonome, siç kanë qenë dy pashallëqet shqiptare – i Bushatllinjve dhe i Ali Pashë Tepelenës.  Megjithatë shtrimi i çështjes së rishikimit historiografik të periudhës së shqiptarëve nën Perandorinë Osmane/Otomane, paraqet një interes të madh jo vetëm për Kosovën, por njëherazi edhe për Shqipërinë e trevat e tjera shqiptare në Ballkan