Tuesday, 14 July 2020 | Lajme: 0

Foto e rrallë: Sulltani në Shkup duke kaluar nëpër Portën Triumfale (FOTO)

Të rralla janë fotografitë dhe të dhënat për qëndrimin e Sulltanit Mehmed Reshadi i V-të në Shkup në vitin 1911.

Ai gjatë qëndrimit të tij me shoqërimin e tij zyrtar ka kaluar nëpër Portën Triumfale që gjendej në sheshin e Shkupit, para Urës së Gurit, njofton kronisti nga Shkupi, Danillo Kocevski, përcjell albtime.
Sheshi i Shkupit në atë kohë nuk kishte formë të tillë. Formën e sheshit e mori pas Luftës së parë botërore, kur edhe u rrënua edhe xhamia e famshme në sheshin e Shkupit, Xhamia Burmali.
Atëbotë, sheshi ishte një hapësirë e madhe, kurse para Urës kishte disa shtëpi që formonin rrugë që shpiente kah stacioni hekururdhorë. Në foto shihet se kolona vie nga ana e djathtë e urës prej anës së parkut.
Sulltani Mehmed Reshadi i Pestë arriti në Selanik me anije më 11 korrik 1911, prej atje me tren arriti në Shkup. Ka vizituar edhe qytete tjera të Maqedonisë dhe rajonit.
Sulltani në Shkup u prit nga numër i madh e qytetarëve të atëhershëm që kishin dalur të përshëndesnin atë. Qëndrimin e tij në Shkup e kishte në ndërtesën e e shkollës së zejtarëve “Islihane” që gjendej në afërsi të komunës së qendrës tani. Këtë emër Islihane e mbante edhe gjithë parku i qytetit të Shkupit. Të nesërmen Sulltani vizitoi edhe Çarshinë e vjetër dhe pjesën tjetër të qytetit.