Sunday, 12 July 2020 | Lajme: 0

Miti i hijes

Nuk mund të preket, por falë saj kanë lindur mite, zbulime, vepra arti dhe orët e para. Është e gjatë dhe e gjerë. Mund ta shohësh, por jo ta prekësh. E tillë është hija: gjithmonë duke ia mbathur dhe në të njëjtën kohë plot domethënie.

 Falë hijes lindën orët e para, u bënë zbulime të rëndësishme astronomike, llogaritje gjeometrike, u frymëzuan rite fetare dhe u treguan përralla të ndryshme. Me fjalë të tjera, hija përveçse fsheh, tregon edhe shumë gjëra. Falë studimit të hijes, në vitin 3000 para Krishtit egjiptianët e lashtë kishin krijuar edhe orët e para: meridianët, bazuar në vëzhgimin e hijeve të përshtatura nga një obelisk ose stilolaps, që në agim dhe mesditë shkurtoheshin, për t’u rizgjatur pastaj pasi perëndonte dielli. Mjaftonte të tregohej mesdita dhe më pas ndarja e 12 orëve dritë bëhej përmes disa segmenteve imagjinare 15 gradë larg njëri-tjetrit. (12 segmente nga 15 gradë, bëjnë 180 gradë).

Shpirti

Pak a shumë në atë epokë datojnë edhe mitet e para përtej varrit: që nga egjiptianët e lashtë e të gjithë popujt e tjerë të botës, kulturat e vjetra i kanë përshkruar gjithmonë si hije shpirtrat e të vdekurve; një mënyrë e këndshme për të përshkruar shpirtin. Pra edhe nëse zhduket trupi, e vetmja gjë që mbetet është një gjurmë e zezë, e pakapshme, pa përmasa: e tillë është hija. Sipas një antropologu britanik, James Frazer, në shumë kultura të vjetra hija konsiderohet forma e vërtetë fizike e shpirtit. Falë kësaj ka lindur edhe shprehja “Nëse lëndon hijen, lëndon edhe të zotin, prandaj duhet të kujdesesh mirë për të”. Kjo thënie ka frymëzuar shumë mite. Në librin “Historia e jashtëzakonshme e Peter Schlemihl”, i publikuar në vitin 1814, gjermani Adelbert von Chamisso tregon se djaloshi protagonist i shet hijen djallit për t’u bërë i pasur, por kjo do ta bëjë dyshues dhe do ta largojë nga të gjithë. Edhe Piter Pani, personazhi i krijuar nga James Barrie më 1902-in, humbet hijen teksa po ia mbathte nga shtëpia e Uendit dhe nuk ndihet më rehat derisa vajza ia kthen Duhet ta dini se nga hija nuk shpëtoni dot kurrë. Psikoanalisti zviceran, Carl Jung, e quajti hijen prototipi i parë që takohet në jetën e brendshme: hija është ana jonë e padukshme, ajo që nuk na pëlqen të shohim te vetja, por që duhet të mësojmë ta pranojmë.

Llogaritje

Falë hijes, me kalimin e viteve ishin bërë zbulime të rëndësishme në astronomi. Babilonasit kishin kuptuar që eklipset hënore shkaktoheshin nga hija e Tokës, e cila futet ndërmjet Diellit dhe Hënës. Po ashtu Aristoteli, ndërsa shihte hijen e lakuar nëpër eklipse, arriti në përfundimin se Toka ishte e rrumbullakët. Falë hijes, greku Eratosten (276-196 para Krishtit) arriti të llogariste me një saktësi të madhe perimetrin e Tokës.

Iluzione

Për grekët hija ishte simbol i kushtëzuar i njohjeve tona. Filozofi grek, Platoni, në veprën e tij “Republika” tregon për mitin e shpellës: imagjinon disa qenie njerëzore të lidhura me zinxhirë në një shpellë, të cilët janë të detyruar të shohin hije statujash që kalojnë para syve të tyre. Ata nuk njohin as botën e jashtme e as Diellin, por vetëm hijet e krijuara nga drita që bien mbi skulpturat. E çfarë mund të kuptojnë nga jeta e vërtetë, kur gjithçka që njohin është hija e një statuje?

Kthesa

Hija lejon që të kuptosh më mirë rivalen e saj, dritën. Eklipsi diellor i 29 majit të 1919-s, i pare në Afrikë nga astronomi anglez, Arthur Eddington, konfirmoi në mënyrë eksperimentale teorinë e relativitetit të Albert Anjshtanjit. Sipas kësaj teorie, drita e një ylli të dukshëm afër diellit ndryshon pamjen për shkak të masës diellore, dhe si pasojë duket sikur është më larg. Por si shpjegohet kjo gjë? Në fakt, drita e diellit e fshin atë të yjeve të tjera. Hijet vazhdojnë të zbulojnë sekretet e kozmosit. Sot astronomët janë në gjendje të kuptojnë, se sa larg nesh, ndodhet një planet. Në këtë mënyrë janë zbuluar edhe 560 planetë përtej sistemit tone diellor.