Saturday, 4 December 2021 | Lajme: 0

Kur Martin Camaj bënte “raportet” për Kosovën, si masakruan serbët 500 intelektualë shqiptarë

Letërkëmbimi midis Krujës dhe ish sekretarit të Bajram Currit, Tahir Zajmit i vetmi përfaqësues i Kosovës, përmban ndër faktet me të rëndësishme për historinë e dy vendeve. Nga njëra anë mësojmë mbi zhvillimet politike në Kosovë, ndërsa Shqipëria po përparonte drejt izolimit të thellë, në Jugosllavinë e Titos komplotet serbë njohin periudhën më të egër kundër shqiptarëve, sidomos intelektualëve. Njoftohemi përmes letrës së mëposhtme që Camaj jetonte në këtë kohë në Kosovë, dhe se po përgatiste një raport mbi zhvillimet atje, ccfarë po ndodhte me raprezaljet serbe kundër intelektualëve shqiptarë, me pretekstin e përgatitjes së një kryengritjeje nga organizata Bashkimi shqiptar. Më shumë për këtë dyshohet se ishte një komplot serb për të gjetur argumente për debimin e shqiptarëve, prej së cilës justifikoheshin persekutimet. Është e rëndësishme të thuhet se këto njoftime nga vijnë nga Tahir Zajmi, duke pasur kontakte e informacione të vazhdueshme nga Kosova, i vendosur edhe vetë në emigrim ashtusikurse Kruja. Zajmi, lindur në Gjakovë, Zajmi më 1918 u hodh në Shqipëri, ku jetoi në Kukës, Krumë e Shkodër. I u bashkua Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me Hoxhë Kadriun, Salih Gjukën etj. Pak kohë në ministrinë e financave me ministrin Gurakuqi, në Qeverinë Noli. Në vitin 1941 angazhohet kokë e këmbë në projektin e Shqipërisë etnike dhe bëhet një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, që synonte të ruante bashkimin me Shqipërinë, duke luftuar edhe me armë kundra çetnikëve apo partizanëve jugosllavë. Në lidhje me këtë periudhë dhe ato ngjarje, në vitin 1964, botoi në Bruksel veprën “Lidhja e dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës”.

Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

 Izmir, 30.III.1955

I dashuni Z. Mustafa,

Prej letres s’Juej q’e kam marrë para pesë ditësh morra vesht dhe u – gëzova mjaft qi tek e mbrama Ju paskan râ në dorë ato të mijat. E tash po i përgjegjem pyetjevet qi më bajshit n’atë letër: a) Xhafer Tajari, ish Prefekt dhe Komandant ushtrijet në Pejë, ka qênë shqiptar prej Katundit Dobranjë të Prishtinës, por bante pjesë në lëvizjen e turqve të ri; – Sulejman Pasha (i ati i Ali Riza Pash Kolonjës) ka qênë Prefekt – fuqiplot në Tashlixhe dhe Komandant Divizioni në Kufi t’Austro – Ungaris, kurse Hajri Pasha, qytetar Prishtinas, kishte njifar zyre të naltë (nuk dij se çka!) n’administraten e perandoris me qêndër në Stamboll.

e) Fjalën Zulmadh (= si shprêhje ekzaltimi për nji njeri të nêzânshëm, për nji ushtri ase nji vend trimash) e kam të vjedhun prej disa shkrimtarve të ri gegë emnat e të cilvet mjerisht nuk më kujtohen. Edhe un – punë kote ! – do të baj letërsi përpara Juvet!…

Për Ismail Kemalin nuk kishëm ndëgjue se kishte ardhë asokohet në Shkup, por dij mirë se sekretari ase i dërguemi i tij, Salih Hoxha Elbasani, ka pas asistue edhe në mbledhjen e Prishtinës në të cilën, në nji zihje e sipër, kan qênë tue u – vrâ me Hasan Prishtinën.

Para katër ditësh Ju kam nisë me anë të Postës tri copë nga revista e “Jetës s’Re” dhe të tjerat, në qoftë se më vijnë, kam me Ju a dërgue prap me të njajten rrugë.

Un qyshse kam ardhë këtu n’Izmir bashkë me nji shok prej Prishtinet jemi tue nxjerrë njilloj tullash – blloqe prej çementët – përmjet nji makine – presjet q’e kemi pas ble vjetin e kaluem por qi n’Manisë nuk patmë kurrfar suksesi, ndërsa këtu tash nji muej e këndej kemi fillue me shpresue se mund të sigurojmë njifar jetesët modeste.

Me kaqë, i dashuni dhe i shtrêjti mik, tue Ju urue shëndet e punë të mira, Ju ngjetoj me shum dashuni.

Jueji

Tahiri

P.S.

Për kurrêshtje dhe admirim këtu mbyllë po Ju dërgoj tekstin e nji bashkfjalimi shum interesant qi Atatürk’u kishte pasë me generalin Mr. Arthur. Me të vertetë nji largëpâmje geniale e preçise për ngjarjet qi ndollën dhe po vazhdojnë të ndodhin mbas vdekjes së tij.

 

Izmir, 6. III. 1956

Fort i dashuni mik,

Me gjithë qi un nuk po pritshëm ndonji përgjegje prej Zotnis s’Uej – pse simbas lidhjes qi kemi në mes t’onë mue më përket detyra me Ju shkrue Juve dy herë dhe Zot. Juej mue vetëm nji! – drôjet se letra qi Ju kishëm dërgue në fillim të Kallnorit mund t’ishte humbë rrugës, sikurse m’ka ngjâ edhe me shum të tjera, po mendojshëm me Ju shkrue nji kartolinë vetëm sa me Ju njoftue që Ju kam nisë nji letër m’a mbërrin ajo e Jueja qi m’a hoq dyshimin. E u – gëzova mjaft qi qenkeni shëndosh e për të tjerat mirë e baft Zoti!

Për punen e amanetit qi keni këtu bisedova sod me Z. H. Prishtinen i cili m’tha se i vinte mâ lehtë m’e rregullue atê n’Amerikë me anen e nji mikut të tij mjaft qi Zot. Juej t’ia njoftoni drejtimin e Djalit T’uej qi ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Sa për letrat q’i keni shkrue mikut T’uej në Jugosllavi, tash për tash mos pritni përgjegje prej tij, pse atje ka krisë gjith’e zeza, ku mbas informatavet qi kemi asht tue u – ba nji operatë tmêrit kundër shqiptarëve të Kosovës qi kam frigë të ketë pasojë tragjike për arsye se bashkatdhetarët t’anë, për me i ikun dajakut të shqàut dhe torturavet brutale, kan fillue të zbresin në viset makedone dhe në kët mënyrë me muejtë me emigrue sa mâ shpejtë në kët vend.

Thuhet se marrja e kësaj mase asht shkaktuem mbas nji zbulim t’autoritetevet Jugosllave për nji kryengritje shqiptare dhe gjetje armësh, trakte e broshura, çka s’mund të jetë tjetër veçse nji imagjinatë por edhe nji komplot apostafat i pregatitun prej Serbvet për me i komprometue shqiptarët përpara Shtetit e kështu me kufizue lirin e tyne. Jam në pritje të padurimëshme qi të marr hollësina të sakta mbi kët ngjarje të ré.

Me kaqë, i shtrêjti dhe i dashuni mik, tue Ju urue shëndet e të mira, Ju përqafë me shum mallë.

Jueji

Tahiri

Drejtimi i H. Prishtinës:

Hüseyin Priştina

Kizil Çullu caddesi N. 545

Eşref Paşa – Izmir

Romë, 7.III.1957

Fort i dashuni mik,

Ju lutem të më falni qi letrës së Juej me nji varg pyetjesh nuk kam muejtë me i përgjegjun deri më sod. E vërteta asht se pritshëm qi Martin Cami të më furnizonte pak hollësina rreth ndodhive të vjetit të kaluem në Kosovë, por aty – tue qênë se asht tepër i xânun me punë si edhe me banim ndodhet tepër largë – po i takon m’u pâ fort rrallë me né tjerët dhe për kët arsye mbassi nuk m’ka qênë e mundun qi të mbledhë gjith ato elemente e hollësina qi kërkoni rreth atyne ndodhive e ndij prap nevojën me i lanë kët punë Martinit i cili asht tue pregatitë diçka të plotë për Juve dhe pjesën e parë të përshkrimit të tij (= nji analizë të hollësishme mbi gjendjen shpirtnore të popullit në lidhje me zhvillimet ekonomike – shoqnore të fazës s’parë t’evulucjonit etj.-) qi kapë nja 7 faqe të daktilografueme ka me Ju – a nisë mbrenda kësaj jave.

Si më thonë Martini dhe nji shok i tij operacjoni i autoritetevet Jugosllave, qi ka pasë për efekt mbledhjen e nji sasije të madhe armësh (6000 të gjata dhe 13000 të shkurta dhe disa mitrolioza etj.) me pasoja të rânda persekutimesh dhe torturash kundër shqiptarve, ka qenë shtrië edhe kundër serbve të vendit. E si përfundim mandej kishin qenë burgosë e torturue mâ se 500 shqiptarë ndër të cilët nji numër i konsideruem intelektualësh. Nga kta të fundit mandej 13 vetë janë dënue prej gjygjeve të Prishtinës dhe të Shkupit si t’akuzuem për konspiracjon e zhvillim propagandet me frymë revolucjonare e nacjonaliste dhe si pjestar aktiv t’organizatës “Bashkimi Kombtar” qi gjoja ekzistueka n’Kosovë.

Se deri ku mund të jet’e vërtetë kjo gjâ, për tash asht nji mistér, por kta thonë se zbulimi i nji lëvizje shqiptare, qi për pak ka qênë tue plasë, âsht zbulue – asht trillue me qëllim – shi n’atë kohë kur grekët e Kipros kishin çue krye me shpresë qi të provokojshin ndërhyemjen e Kombeve të Bashkueme. Koha do të na thotë se si ka qenë e vërteta, por përnjiherësh mbas këtij operacjoni kishte qenë mbyllë Instituti albanologjik i Prishtinës, ndrrue personeli shqiptar e zevêndesue me serb në gjimnazin e këtij qyteti dhe ndër disa institute të vendeve të tjera.

Domosdo n’analizën qi ka me Ju dërgue Martini keni me pasë hollësina të plota dhe rreth këtij subjekti.

* * *

Tash po Ju shkruej pak mbi arsyenat qi m’kan shtrëngue me ardhë këtu n’Itali: 1) nevoja me marr vesht ndonji send mbi gjendjen e fëmijve të mij prej të cilve tash gadi nji vjet nuk kam pasë kurrfar lajmi; 2) me kalue nji perjudhë pushimi, përshka e kam tepër nevojën, sidomos ndër kto kohnat e fundit; 3) me kërkue mundësin e ndonji pune sa me sigurue nji jetesë modeste deri t’i plotsoj pratikat për emigrue n’Shtetet e Bashkueme, për çka kam pas bâ hapat e nevojshëm qysh në vjetin 1950 pranë Legationit Amerikan në Sham. Rasësisht tash jam njoftë ktu me nji firmë tregtare të Brindizit – Azienda agricola – Aziende vinicola – qi kërkon me importue nga Turkija do artikuj (si: tërshanë, elb, krûnde, rrushë të thatë etj.) sasina të mbëdhaja dhe në se do të marrë ndonjë përgjigje pozitive nga miqt e Izmirit atëherë mund t’a shtyej qëndrimin t’im këtu edhe për disa kohë, se për shum arsyena jetesa në Turkí m’asht bá e zorëshme. Për ndryshe do të shtrëngohem me këthye prap atje ku ishëm.

Për fjalorët e Sh. Sami Frashërit qi pyetni nuk dij se ç’ka t’Ju them: n’Izmir nuk besoj qi mund të gjinden, se atje libra me shkronja të vjetra nuk kam pá. Por ndër librarët e Sirkecis n’Stamboll, ku vjetin e kaluem – tue shëtitë bashkë me adashin t’im pata gjetë disa libra të vjetër ndër të cilët edhe nja dy të Sami Frashërit: “Njeriu” dhe nji tjetër -, shpresoj se mund të gjinden; e paskeni bá shum mirë q’i keni shkrue Kolgjinit. Edhe un do t’interesohem.

M’erdhi shum keq – e madje edhe çudi – qi Hysejn Prishtina nuk e paska pasë rregullue atë punë për të cilën, tue qênë se asht vet përgjegjës, m’ishte zotue se do t’a kryente patjetër.

Sido qi të jetë kjo llogari e mbetun varrë tash sa kohë ka me u – likvidue sa mâ parë prej atij ase prej meje. Po i shkruej tash edhe nji letër Z. Prishtinës për m’e pyet edhe në se ka mbetë teprue ndonji sasi prej abetarësh. Prej këtu asnji lajm të ri që të ketë rândësi për t’u shënue.

Me kaqë e tue Ju urue shëndet e të mira Ju perqafë me shum mallë. Të ndershmes motër, qi shyqyr Zotit po Ju gjindet afër për me Ju shërbye, dhe Djalit T’uej të dashun të fala me shum shëndet.

Jueji

Tahir Zaimi

Izmir, me 27 nanduer 1958

I dashuni Zot. Mustafa,

Të më lejoni që t’a filloj bisedën me nji anekdodë pakëz banale:

“Na kishte qênë martue nji Hasjanë dhe natën e parë qi hyen dhândër shtângohet gôjet dhe nuk fillon kurrfar bisedet me nusen. Kjo e ngrata mbasi kalon bukur do kohë zen të mërzitet dhe dikur fillon të flasë: – Po fol diçka or njeri!

E dhândri tue mbledhë vedin sikur po donte me qitë pushkë i thot: – Asha Zotin nuk po dij hiç se ku me ia ngjitë!… – dhe atëherë nusja tue humbë fare durimin ia pret: – Po ti, or krah thatë – i thot – edhe sonte mos paç se ku me ia ngjitë, mos paç kurr, O Zot, se ku me ia ngjitë! etj.”

Mbas një ndërpremjeje mjaft të gjatë të letër këmbimit me Zotnin e Juej nuk po dij edhe un se prej ku me ia fillue.

E vërteta asht se qysh në fillim të këtij vjeti kam qênë angazhue në nji punë 10 kilometra jashta qytetit qi m’ka pas okupue e lodhë mjaft, arsye për të cilën kam mungue pa dashtë ndaj gjithë miqvet dhe të dashunve të mij.

Prandaj Ju kërkoj ndjesë për kët mungesë t’ime të pa dishrueme dhe uroj me gjith zêmër qi kjo letër e ime t’Ju gjejë shëndosh’e mirë.

Përfitoj prej këtij rasti qi t’Ju uroj 46 vjetorin e pamvarrësis s’onë kombtare dhe e baft i Lumi Zot qi festat tjera t’i festojmë në Shqipnin e lirueme!

Me shum shëndet e përzêmërsi. Dr. Bashkimit, Birit Tuej të dashun, shum të fala.

Jueji: Tahir Zaimi       /Standard