Friday, 22 January 2021 | Lajme: 0

“Martesa”, përfundojnë xhirimet e filmit kosovar të financuar nga Shqipëria

Në Prishtinë kanë përfunduar xhirimet e filmit “Martesa”, i cili është filmi i parë kosovar i financuar edhe nga Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë.

Kosova ka tri vjet që përkrahë projekte filmike të Shqipërisë, por deri në vitin 2015, Shqipëria nuk e kishte të lejuar të ndante fonde për projekte të huaja filmike.

Nga 400 mijë euro sa është kosto e projektit, 150 mijë janë ndarë nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa 42 850 euro nga Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë, duke e bërë filmin bashkprodhim të dy vendeve.

“Vitet e fundit është hera e parë që një film kosovar, po financohet në kuadër të QKK-së së Shqipërisë, si projekt minoritar, do me thënë si me një përqindje më të vogël se sa është në rregullore”, thotë Kreshnik Berisha, producent e skenarist i “Martesës”.

 

“Shumë e nevojshme sepse duhet ta njohim më mirë njëri tjetrin dhe besoj se duhet të jetë si një lloj praktike për tu ndjekur në vazhdimësi bashkëpunimet midis dy vendeve, sepse jemi një popull, ndajmë të njejtat gjëra”, deklaroi Ajola Daja, asistente e kostumografisë “Martesa”.

Në filmin “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri, trajtohet një nga temat më të ndjeshme të shoqërisë në Kosovë, martesa për hir të familjes. Nuk bëhet fjale për nje martese te zakonshme, por regjisorja nuk mund të jape detaje pasi intriga zgjidhet ne sekuencat finale. Kthesa dramatike ndodh kur personazhi kryesor gjendet mes një trekëndëshi dashurie dhe dy javë para dasmës së tij vihet në dyshim martesa si dhe jeta e tij deri në atë moment, për shkak të paragjykimeve në shoqëri.

“Nëse mund ta quaj porosi është që njeriu duhet të jetë vetvetja, se mendoj që shumë probleme, jo vetëm në shoqëri, por edhe në jetë individuale rrjedhin nga kjo, që don me cdo kusht njeriu t’i përshtatet kërkesave të shoqërisë. Që në fakt nëse i përshtatesh atyre kërkesave, do të kesh jetë jo të lumtur. Kështu që rezultati është që askush nuk është i lumtur, as shoqëria me ty e as ti me veten tënde”, rrëfen Blerta Zeqiri, regjisore/skenariste e filmit.

Skenari është shkruar nga Blerta Zeqiri dhe Kreshnik Berisha, në rolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Alban Ukaj dhe Genc Salihu, ndërsa është angazhuar edhe producenti i njohur për sukseset e filmit “No Man’s Land”, Cedomir Kolar