Monday, 13 July 2020 | Lajme: 0

Ronaldo ka një mesazh për tifozët e Manchester Unitedit pasi ua mposhti skuadrën

Cristiano Ronaldo i ka falënderuar përkrahësit e Manchester Unitedit për mikpritjen e ngrohtë që ia bënë gjatë rikthimit të tij në “Old Trafford” të martën mbrëma.

Ish-ylli i Man Unitedit, Ronaldo u rikthye në Mançester për t’i ndihmuar skuadrës së tij Juventus ta dominoi plotësisht skuadrën e Jose Mourinhos në fitoren 1-0 në Ligën e Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Ronaldo u përfshi në golin e fitores të shënuar nga Paulo Dybala, pasi e harkoi një top nga krahu i djathtë, i cili e gjeti sulmuesin argjentinas pasi Chris Smalling nuk qe në gjendje ta largojë atë nga zona.

Dhe edhe pse Ronaldo dhe Juventusi e heshtën turmën vendase, e cila nuk pati për çfarë të brohoriste pasi djelmoshat e Jose Mourinhos ishin të humbur në fushë kundër gjigantit italian, tifozët vendas i dhanë ish-heroit të tyre një duartrokitje të ngrohtë në fund të takimit.

Kjo u vlerësua nga Ronaldo, i cili i fitoi tre tituj në Premierligë dhe një në Ligën e Kampionëve në mesin e shumë trofeve gjatë qëndrimit të tij gjashtëvjeçar në United para se t’i bashkohej Real Madridit më 2009.

“Fitore e rëndësishme dhe ndeshje shumë emocionale për mua. Të luaja përsëri në Old Trafford ishte madhështore”, shktoi Ronaldo në Instagram.

“Faleminderit të gjithë tifozëve për mikpritjen dhe përkrahjen”, shtoi ai.