Friday, 10 July 2020 | Lajme: 0

Gjykata spanjolle nuk i dënon dy përdhunues, shpërthejnë protestat

Vendimi i një gjykate për t’i liruar dy përdhunues të një vajze ka shkaktuar shpërthim të protestave në tërë Spanjën. Gjykata vlerësoi se dy burrat nuk kanë kryer sulm seksual sepse nuk kanë përdorur kërcënime apo dhunë për ta kryer aktin.

Dy të dyshuarit, të cilët mese vete janë dajë e nip, e kishin takuar viktimën e tyre në një kafene dhe pastaj kishin shkuar me të në një klub nate. Pastaj, ata e kishin dërguar vajzën në një rrugë periferike dhe e kishin detyruar të bënte marrëdhënie intime pa dëshirën e saj. Ajo i kishte lutur të dyshuarit që të ndalen, duke qarë dhe duke vjellë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se burrat e kanë shfrytëzuar natyrën e saj të dobët, e cila, nën ndikimin e konsumimit të alkoholit dhe barnave, mund ta ketë dobësuar aftësinë për vetëmbrojtje, duke bërë që aktet e dhunshme të jenë të panevojshme. Si rrjedhojë, gjykata ka vlerësuar se burrat nuk mund të akuzohen për sulm seksual, ndonëse një vepër e tillë është e dënueshme me dënim maksimal prej 15 vitesh burgim.

 Grupet për të drejtat e grave po përgatiten për një varg prej 200 protestash që planifikohen të mbahen gjatë kësaj fundjave, me ç’rast do të shënohet edhe Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Ndaj Grave. Protesta të tilla ishin mbajtur edhe në prillin e kaluar, kur gjykata i kishte shpallur të pafajshëm pesë burra, të cilët kishin përdorur një grup në WhatsApp për ta mashtruar viktimën e tyre, e cila ishte vetëm 18-vjeçare.

Në anën tjetër, organizata “Amnesty International” përmes një deklarate e ka kritikuar mungesën e politikave mbrojtëse për gratë në Spanjë, sidomos kur bëhet fjalë për gratë që janë viktima të dhunës seksuale, shkruan “BBC”.