Friday, 10 July 2020 | Lajme: 0

Maqedoni, rreth 1 mijë fëmijë në vit vijnë në kontakt me sistemin gjyqësor

Ministria e Drejtësisë, Shoqata e Avokatëve të Maqedonisë, UNICEF-i dhe Këshilli për Parandalimin e Delikuencës ndaj të Miturve sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi me qëllim të avancimit të njohurive të avokatëve dhe përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve që vijnë në kontakt me ligjin, raporton AA.

Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është rritja e njohurive të avokatëve dhe përmirësimi i mbrojtjes së fëmijëve që vijnë në kontakt me ligjin – fëmijë të cilët kanë kryer ose janë të dyshuar për vepra penale, fëmijët dëshmitarë dhe fëmijët viktima.

Statistikat në Maqedoni tregojnë se rreth 1,000 fëmijë në vit vijnë në kontakt me sistemin gjyqësor, qoftë si të akuzuar, në rolin e të dyshuarve, dëshmitarëve apo viktimave.

Duke iu referuar raportit të Këshillit për parandalimin e delikuencës, ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska tha se në vitin 2017 rreth 1,600 fëmijë janë ftuar praktikisht në stacionet policore për arsye të ndryshme, nga të cilët 38 për qind e kanë shfrytëzuar të drejtën e mbrojtjes nga avokati.

“Memorandumi përcakton organizimin dhe zbatimin e trajnimit të specializuar, marrjen e njohurive dhe aftësive të veçanta të avokatëve në fushën e drejtësisë për fëmijën dhe mbrojtjen penale të drejtësisë penale të fëmijëve”, ka thënë Deskoska.

Kryetari i Shoqatës së Avokatëve, Ljubomir Mihajllovski tha se nënshkrimi i memorandumit është një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të institucioneve.

“Është e pakontestueshme se krimi sot është një problem i madh në shoqërinë moderne dhe një rrezik i thellë i cilësisë së jetës njerëzore”, ka thënë Mihajlovski.

Lazar Nanev nga Unioni për parandalimin e veprave penale dhe delikuencës së të miturve në Maqedoni, tha se pjesëmarrja e avokatëve në sistemin e drejtësisë për fëmijët është një nga hallkat më të rëndësishme në procedurën para qendrave për mbrojtje, para Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe sidomos në procedurat gjyqësore fëmijët.

Benjamin Perks, përfaqësuesi i UNICEF-it në Maqedoni, duke theksuar kënaqësinë me nënshkrimin e memorandumit tha se “qëllimi është të parandalojmë fëmijët që të bëhen kriminelë dhe të dalin nga cikli i krimit”.