Thursday, 6 August 2020 | Lajme: 0

Sjellje të mira që çdo fëmijë duhet të mësojë

Nëna dëshiron që fëmija i saj të bëhet i edukuar dhe të sillet si fëmijë i mbarë para se të fillojë të frekuentojë kopshtin. Por, në cilën moshë një fëmijë është i gatshëm që të ulet kur e urdhërojnë, ose të vendosë lodrat në vendin e caktuar apo të jetë i sjellshëm? Cila është mënyra më e mirë që të përvetësojë disa sjellje të mira? Sekreti është që të filloni t’i mësoni fëmijës sjelljet e mira qysh kur ai është shumë i vogël, apo disa muajsh, në mënyrë që këto sjellje të bëhen automatike. Jepini shembullin më të mirë dhe shpjegojini përse disa sjellje të mira janë shumë të rëndësishme. Pra cilat janë sjelljet e mira që mund t’i mësojmë fëmijës që në muajt e parë të jetës së tij?

1) Bëjeni që të thotë: “të lutem” dhe “faleminderit”

Fëmijët mësojnë më mirë përmes shembullit, kështu që kujtohuni ju të parët të përdorni mënyrat e mira me të! Madje edhe foshnjat mund të kuptojnë konceptin e “faleminderit”, ju duhet vetëm ta përforconi të kuptuarit e tij, por si? Duke e falënderuar gjithmonë, çdo herë që ju sjell diçka. Në këtë mënyrë, fëmija thjesht ju kopjon dhe imiton.

2) Lajini mirë duart përpara se…

Zakoni i larjes së duarve para ngrënies duhet t’i mësohet fëmijës pak më përpara se ai të fillojë të zvarritet, kohë në të cilën i bën duart shumë pis. Sekreti është që të përpiqeni ta bëni këtë gjë në mënyrën sa më argëtuese. Për shembull mund t’i lani duart përnjëherësh me vogëlushin ose të bëni ndonjë garë se kush i bën më të mëdha flluskat e sapunit. Në këtë mënyrë, fëmijët mezi do të presin momentin për të larë duart!

3) Mos harroni asnjëherë të lani dhëmbët

T’i lani dhëmbët një fëmije të vogël mund të jetë një gjë mjaft e vështirë, por bëhet fjalë për një sjellje shumë të rëndësishme, e cila nuk mund të anashkalohet në asnjë mënyrë. Këshilla e rastit është që ta lini fëmijën ta bëjë vetë këtë gjë. Shumë fëmijë mund të arrijnë ta mbajnë mirë furçën e dhëmbëve në dorë qysh kur janë 1 vjeç. Por mos harroni që edhe ju duhet t’i lani dhëmbët pasi i vogli të ketë mbaruar. Duhet ta mbikëqyrni derisa të mbushë të paktën 7 vjeç. Ndërkaq zgjedhjen e furçës lërjani fëmijës dhe dalëngadalë gjithashtu lëreni që të shihet edhe në pasqyrë, sepse kjo mund ta ndihmojë të përqendrohet më mirë tek ajo që bën.

4)Nuk luhet me pjesët intime

Në përgjithësi fëmijët bëhen të vetëdijshëm se kanë organe gjenitale nga fundi i vitit të parë të jetës. Është më se normale që vogëlushët dhe vogëlushet të luajnë me pjesët e tyre intime dhe nuk ka asnjë arsye për t’i shkurajuar ata. Nëse e bën këtë, fëmija do të ketë përshtypjen e të bërit të diçkaje të ndaluar dhe kjo mund t’i krijojë probleme kur të rritet. Zgjidhja më e mirë është që të shtireni sikur nuk e dini kur e verifikon këtë gjë. Por nëse këtë veprim ai e bën në publik, është e nevojshme që ta ndaloni menjëherë, por pa e qortuar dhe pa i bërtitur.

5) Nuk luhet me ushqimin kur është në tavolinë

Mënyra më e mirë për t’i mësuar fëmijës tuaj sjelljet në tavolinë është që ai duhet të qëndrojë në të me të gjithë familjen. Në këtë mënyrë, i vogli do të ketë mundësinë të shohë se si sillen të tjerët e pak nga pak, edhe ai do të mësojë të sillet në tavolinë. Kur të mbushë 1 vjeç, vogëlushi do të ketë mësuar të mbajë lugën dhe më pas të hajë vetë. Padyshim që nuk duhet të prisni që ai të qëndrojë i ulur mirë në tryezë, të paktën për momentin. Nëse fëmija juaj do të çohet nga tavolina, lëreni që ta bëjë, por do të ishte mirë që pas pesë minutash ta ulni përsëri. Shumë shpejt fëmija do të mësojë që në tavolinë duhet qëndruar ulur për të ngrënë.

6) Të qëndrojë i ulur mirë kur dikush ia kërkon këtë gjë

A është e mundur që ta bësh një fëmijë të qëndrojë ulur? Si mund ta kuptojë dhe të bindet një fëmijë 2-vjeçar për atë se çfarë i kërkohet? Kjo gjë varet mbi të gjitha nga karakteri i fëmijës dhe duhet thënë që shpesh janë djemtë ata të cilët nuk binden, krahasuar me vajzat. Të respektosh një rregull si ky është një aftësi që përfitohet me kalimin e kohës. Kur ai të mbushë 3 vjeç, mund t’i shpjegosh se përse është kaq e rëndësishme të qëndrosh ulur. Ai mund të dëgjojë mirë kur i lexon një përrallë apo i tregon një histori. Sekreti? Komplimentet funksionojnë! Kështu që, sa herë që fëmija juaj qëndron ulur apo ju bindet, lavdërojeni shumë!

7)T’i vendosni lodrat në vendin e tyre pasi të keni luajtur

Sipas ekspertëve, ky është një rregull i cili duhet t’i mësohet fëmijës kur ai është i vogël. Qysh 18 muajsh ai mund të argëtohet duke ju ndihmuar të vendosni lodrat në vendin e tyre. Natyrisht shumicën e punës duhet ta bëni ju deri sa fëmija të bëhet 4 apo 5 vjeç.

Ju duhet të përpiqeni t’i bëni të qartë fëmijës tuaj që nëse ai i rregullon shumë mirë lodrat, do të jetë më e lehtë për t’i gjetur ato. Provoni t’i jepni një çmim (qoftë edhe një karamele që i pëlqen shumë) sa herë që vë gjithçka në vendin e duhur. Për t’ia bërë këtë detyrë më të pëlqyeshme, kutitë që vendosni lodrat zgjidhini me shumë ngjyra.