Thursday, 6 August 2020 | Lajme: 0

Fëmijët më të varur se kurrë prej kompjuterit

childComputer_1394080c

Sipas studimeve të zhvilluara së fundmi, 42,3 % e fëmijëve të ciklit nëntëvjeçar dhe të mesëm kalojnë më shumë se tri orë në ditë para
kompjuterit. Të mbajtur në shtëpi edhe nga pasiguria e rrugës, fëmijët nxiten më shumë të qëndrojnë përballë kompjuterit. Specialistët sugjerojnë alternativa të tjera lojërash për shfrytëzimin sa më të mirë të kohës.

Me mbylljen e shkollave një pjesë e fëmijëve fillojnë pushimet e një pjesë tjetër ngelen në shtëpi. Ka prej atyre të cilët preferojnë t’i kalojnë pushimet përballë kompjuterit. Por studimet e zhvilluara kohëve të fundit tregojnë se më shumë se 42% e fëmijëve të ciklit nëntëvjeçar kalojnë më shumë se tri orë para kompjuterit.

Sigurisht që shtimi i përdorimit të kompjuterit lidhet edhe me përdorimin e internetit dhe rrjeteve sociale. Djemtë kalojnë më shumë kohë para kompjuterit sesa vajzat. Edhe familjet pohojnë se fëmijët hanë shumë shpejt apo nuk i kushtojnë rëndësi ushqimit për shkak të kompjuterit, tabletës apo telefonit celular.

Nuk është i pakët as numri i atyre fëmijëve të cilët e kalojnë para kompjuterit edhe orarin kur duhet të ishin në gjumë. Këto fëmijë të varur pas kompjuterit edhe shoqërinë preferojnë ta zgjedhin nga interneti. Varësia ndaj kompjuterit ka arritur shifra alarmante. Ky fakt sjell me vete dhe shumë zakone dhe vese të këqija.

Ka shumë të rinj, të cilët njihen me të droguar nëpërmjet internetit. Në këtë mënyrë ata e kanë të lehtë të bien në kurthin e tyre. Familjet duhet të tregojnë kujdesin maksimal në këtë pikë. Fëmijët duhet të luajnë me lojëra të tjera krahas kompjuterit. Familjet duhet të vendosin një kufi për sa i përket kohës së kaluar para kompjuterit. Në të njëjtën kohë t’i mundësojnë fëmijëve të tyre kalimin e kohës me shokët. Fëmijët e kanë të nevojshme të luajnë jashtë në mënyrë të pavarur.