Friday, 10 July 2020 | Lajme: 0

PSEUDOKOMBTARIZMI QË DËMTON

Bashkim Aliu

bashkim aliu

 

Në kohën e fundit, në Parlamentin e Maqedonisë, është ngritur iniciativa e dështuar për definimin kushtetues të bashkëshortësisë, gjegjësisht është kërkuar që me kushtetutë martesa të definohet si bashkësi mes burrit dhe gruas, ashtu që të mbyllet rruga e mundësisë së definimit të martesës ndryshe, apo ndalohet definimi i martesës si bashkësi mes dy gjinive të njejta.

Debatet për këtë iniciativë kanë qenë të natyrave dhe motiveve të ndryshme, bile edhe satirike, varësisht se pala e cila ka debatuar për iniciativën në fjalë, si është e pozicionuar në raport me qeverinë dhe ideologjinë e partive të cilat e përbëjnë koalicionin qeveritar. Dhe në fund, me 47 vota pro, vota këto që u dhanë nga deputetët e partisë maqedone në pushtet, 26 kundër, të cilat vota ishin të deputetëve të partisë opozitare maqedonase dhe 12 të përmbajtur, të cilët ishin deputetët e BDI-së, iniciativa nuk kalon.

Ajo që bie në sy dhe që është shqetësuese, është debati bosh, i pa mbështetur dhe jashta kontekstit, që është zhvilluar mes deputetëve të dy partive politike shqiptare në Parlamentin e Maqedonisë. Në vend që debatin ta zhvillojnë me atë palë që  mban firmën e qëndrimit nacionalist dhe etnocentrist karshi kërkesave të shqiptarëve, deputetët shqiptarë grinden mes veti, duke tentuar kështu të tregojnë se kush është patriot, e kush i shitur. Ndërkaq, populli i ka parë të dy palët dhe ua ka pirë çorbën të dy palëve. Sikur të kishin qenë deputetë të partive tjera, ndoshta debati do të kishte ndonjëfarë kuptimi dhe do të ishte interesant, por, debati i deputetëve të këtyre partive, është i lodhshëm dhe hipokrit, ngase të dy këto parti kanë qenë në pushtet, dhe atë për çka e akuzojnë njëra-tjetrën se nuk e ka bërë, kanë mundur ta bëjnë kur kanë qenë në pushtet.

Me këtë rast, debatet e këtilla komprometuese dhe jo të hijshme që janë zhvilluar mes deputetëve shqiptar, edhe pse u takojnë kampeve të ndryshme politike, ua kanë humbur mundësinë që të formohet një infrastrukturë ligjore e karakterit kushtetutar, për ti mbrojtur brezat e ri dhe shoqërinë nga devijimet ne mundshme. Falë Zotit, në mesin e popullatës shqiptare e cila është me shumicë absolute muslimane, nuk ka devijime të dukshme të kësaj natyre për të cilën do të vlente ky ligj, gjegjësisht nuk ka raste të dukshme të martesës së personave të gjinisë së njejtë, mirëpo, do të ishte e dobishme sikur kjo të parandalohet edhe me ligj, edhe atë, duke u vënë si kategori kushtetutare. Kjo, do të ishte edhe një tregues i qartë i luftës për mbrojtjen e vlerave në pushtetin legjislativ, dhe do të ishte një kapital i madh moral për vetë deputetët shqiptarë, si dhe do të vente një imza të vlefshme të morales në agjendat politike. Mirëpo, ja kjo nuk ndodhi, dhe deputetët shqiptarë nuk votuan pro kësaj iniciative, e cila nuk duhet të shihet vetëm në këndin politik dhe propagandistik, por, ligjit në fjalë është dashur qasur nga një këndvështrim më i gjërë. Nuk mund të paragjykoj se çka ka qenë shkaku i mos votimit të këtij ligji, frika nga ndëkombëtarët mos i qortojnë se i kanë diskriminuar homoseksualët, apo diçka tjetër, por ajo që mund të them është se është lëshuar një mundësi që të luftohen antivlerat në mënyrë institucionale. Ndoshta, mos mendon dikush që edhe në Maqedoni të ndodh ajo që ka ndodhur në Kosovë, gjegjësisht me kushtetutë të lejohen martesat e gjinisë së njejtë, por kjo sa do të ishte antifetare dhe antinjerëzore, aq do të ishte edhe antikombëtare. Kombi nuk mbrohet vetëm me muhabete bajate propagandistike për gjuhën dhe flamurin, por, me kombi mbrohet me përpjekje të sinqerta për mbrojtjen e të drejtave të tij politike dhe mbrojtjen e familjes dhe brezave të ri nga devijimet seksuale. Nëse nuk ndalohen dukuritë e tilla, do të krijojet hapërisë për forcat destruktive që të punojnë në etablimin e devijimeve të këtilla në shoqëri. Nuk është me rëndësi hë për hë a do të arrijnë sukses, por është për t’u shqetësuar tejmase që atyre do t’u mundësohet lirshëm të agjitojnë për këto devijime. Dhe çka do të ndodh? Ata të cilët do të bien viktimë e këtyre devijimeve, do të kenë të ngritur para objektit të tyre vetëm një flamur, as atë maqedon, as atë shqiptar, por atë të gay-ve, siç shihet kjo gjithkund në perëndim.

Kur themi se debatet dhe grindjet e deputetëve shqiptarë mes veti janë bajate, nuk kemi aspak për qëllim që ta minimizojmë debatin për të drejtat tona si etni shqiptare, në veçanti të drejtën e gjuhës dhe flamurit, por me këtë kemi për qëllim të tregojmë se nuk mund çdo herë të na mashtrojnë në emër të gjuhës dhe flamurit, për qejfet e tyre, dhe këtë ta marrin si mbulesë kur nuk duan diçka të bëjnë. Kjo iniciativë nuk është në dobi të sllavëve të jugut dhe as të veriut, por është në dobi të të gjithve, dhe deputetët tanë është dashur të dalin me një qëndrim të përbashkët. Ndërkaq, kërkesat për të drejtat e amputuara, duhet të kërkohen me nji platformë të përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Për gjuhën dhe flamurin, nuk ka parti dhe as majtistë e djathtistë, por të gjithë duhet të jenë një palë, karshi atyre të cilët dalin kundër këtyre kërkesave. Mirëpo, për fat të keq, partitë tona politike kanë dështuar në këtë drejtim, nuk kanë arritur t’i unifikojnë qëndrimet e veta dhe bashkarisht ta ngrenë zërin në parlament, bile edhe për këto çështje jetike për shqiptarët. Dhe çka ndodh? Kur ngritet iniciativë për definimin e martesës si bashkësi mes burrit dhe gruas me kushtetutë, deputetët tanë kapen për gjuhën dhe flamurin, që ta fshehin qëndrimin e tyre karshi kësaj çështje. Por, kjo nuk shkon kështu, dhe mos mendoje dikush se nuk do të mund t’u thuhet mjaft më, nga frika se mos po etiketohemi se jemi kundër gjuhës dhe flamurit. Jo, nuk është ashtu. Të gjithë jemi për të drejtat tona, por, nuk jemi që deputetët e partive shqiptare, të manipulojnë me debatet për këto të drejta, për mos të votuar iniciativa të dobishme për qelizën bazë të shioqërisë-Familjen. Nëse dikush mban fajin më të madh për mosrealizimin e këtyre të drejtave, ata janë pikërisht politikanët, të cilët e kanë marrur votën e popullit që të luftojnë për të drejtat e popullit, e jo të bëjnë biznis për xhepin e tyre në kurriz të popullit. Gjërat duhet thënë hapur dhe pa dorza:Deputetët tanë, janë vënë para shumë pikëpyetjeve me mosmbështetjen e definimit të martesës si bashkësi mes burrit dhe gruas me kushtetutë. Pretendimi se nëse hapet çështja e ndryshimit të kushtetutës për këtë ligj, duhet të hapen edhe çështje tjera politike, nuk mund të jetë arsye e fortë për anashkalimin e kësaj iniciative, ngase për t’u bërë kjo gjë, nuk duhet fshehur pas refuzimit të kësaj iniciative në emër të ndryshimeve të gjëra në kushtetutë, por ndryshimet e gjëra në kushtetutë mund të bëhen nëse ekziston vullnet dhe qëndrim i përbashkët te partitë politike shqiptare, dhe këtu përgjegjësia bie mbi të gjithë, edhe ata që janë në pushtet, edhe ata që janë në opozitë. Mendoj se ikja prej formimit të infrastrukturës ligjore për ndalimin e devijimeve shoqërore, në emër të të drejtave politike, dhe me debate që janë kompromituese për klasën politike, nuk është kombtarizëm dhe patriotizëm, por pseudokombtarizëm i kamufluar me petkun e patriotizmit.

Nëse i dëgjon debatet e deputetëve tanë në parlament, do të keshë përshtypjen se edhe pse jemi në vjeshtë, klasa politike ende është jeshil si në pranverë.