Tuesday, 14 July 2020 | Lajme: 0

Destani: Jam besimtar

Blerim Destani është një ndër aktorët më të përfolur, i njohur jo vetëm për karrierën e tij si aktor, por edhe për jetën e tij private. Kulmin e famës në trojet shqiptare, Blerimi e arriti me filmin “Koha e Kometës”, dhe në intervistën ekskluzive për gazetën “Zëri” ai shpalosi shumë gjëra interesante për jetën e tij profesionale e private.

 

Kur keni filluar të merreni me aktrimin dhe çfarë ju ka shtyrë të merreni me të?

Aktrimi si pasion tek unë u paraqit që në moshë të re, mund të them se ajo që në atë moshë ishte shtysë për këtë profesion ishte “magjia e kamerës”. Babai im e kishte si pasion kamerën dhe që në moshë të re u fascinova nga syri i kamerës dhe gjërat që xhironte babai dhe pastaj i shikoja me admirim materialet e xhiruara. Kështu më pas shpesh ndodhesha para asaj kamere dhe fillova të hulumtoj emocionin që më shkaktonte paraqitje ime para kamerës. Ndërsa bindja se aktrimi është profesioni im i jetës, më erdhi që në ditët e para të akademisë në Gjermani.

 

Si ka qenë fëmijëria e juaj? Na tregoni diçka që ju ka lënë shumë përshtypje dhe e kujtoni nga ajo kohë.

Brumi jetësor për çdo njeri gatuhet që në fëmijëri. Dhe unë kam pasur një fëmijëri të lumtur i rrethuar me shumë dashuri dhe përkrahje të madhe nga familja për pasionet e mia, idetë e mija dhe për të ardhmen time. Kam shumë gjëra që i kujtoj me shumë emocion, por nuk dua të përmend pasi mund të krijohen mundësi për keqinterpretime. Ndoshta në ndonjë rast tjetër.

 

Çfarë roli luan dashuria në jetën tuaj? A mendoni se duhet të jetë diçka primare për çdo njeri?

Dashuria është shumë e rëndësishme në jetën e çdo njeriu, ajo është gjenerator i motivimit për ecur përpara. Uroj që çdo kush ta ketë përjetuar të paktën një herë në jetë, këtë ndjenjë sublime që të mundëson që shpirtërisht edhe të ngrihesh mbi realitetin në të cilin jeton.

 

Ku e mendoni veten pas 10 vitesh dhe cilat janë synimet që keni për të ardhmen?

Unë udhëhiqem nga parimi që e ardhmja është një e panjohur drejtë së cilës ecën çdo njeri në jetën e vet. Prandaj për këtë të panjohur (të ardhmen) çdo njeri bën plane pasi dëshiron që ta zbeh dimensionin e panjohur të saj duke e bërë më të njohur dhe më të kapshëm. Jam i lumtur që shumë plane dhe dëshira të miat nga mosha më e re janë tashmë gjëra të prekura dhe përjetuara nga unë në këtë moshë që gjendem tani. Por edhe tani, unë përsëri kam plane tjera për të ardhmen time dhe punoj me përkushtim që në kohën për të cilën më pyesni ju, të jem në mesin e aktorëve të suksesshëm dhe shpresoj të kem bërë gjëra të rëndësishme jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë tonë. Pra vepra që do shënjojnë kohën time.

 

Çfarë mendoni duhet të posedoj njeriu që të bëj jetë produktive?

Talentin e jep Zoti, por më pas duhet shumë punë e përkushtim për të perfeksionuar talentin për të bërë vepra të rëndësishme.

 

Me çfarë aktivitete merreni jashtë aktrimit?

Aktrimi është profesioni im që e zë vendin kryesor në jetën time, kështu që edhe koha primare i takon aktrimit. Por si zakonisht edhe aktivitet tjera jashtë profesionit janë të lidhur me aktrimin siç janë mbajtja e vetes në formë fizike dhe psikike për të qenë çdo herë në hap me kohën. Pra aktivitete sportive janë një pjesë përbërëse e jetës sime.

 

Çfarë jeni duke punuar momentalisht, cilët janë projektet te cilat do t’i shpalosni së shpejti?

Zakonisht nuk preferoj të flas për planet konkrete, por vetëm për projekte të realizuara. Sapo kam mbaruar xhirimet e filmit “Amsterdam Express” me regjisorin Fatmir Koçi dhe jam në përgatitje për një film gjerman që duhet të filloj këtë muaj.

 

Ku inspirohet Blerimi?

Jeta e përditshme është inspirim i pashtershëm. Unë jam një vrojtues i mprehtë në jetë dhe shpesh më ka ndodh inspirimet t’i gjej në gjërat e përditshme. Jeta është një dhuratë e dhënë nga Zoti dhe si e tillë ajo duhet çmuar dhe analizuar mirë.

 

Cili ka qenë roli të cilin e keni dashur më së shumti dhe pse?

Të gjithë rolet që kam realizuar për mua janë të rëndësishëm dhe të vlefshëm njësoj. Nuk mund të bëj një përzgjedhje, pasi të gjithë kanë ndodhur në kohë të ndryshme në rrethana të ndryshme dhe përbëjnë një investim emocional nga ana ime. Prandaj edhe për mua janë të dashur njësoj.

 

Cili aktor ju pëlqen?

Kuptohet që kam preferencat e mia për aktor që janë udhëçelës në këtë profesion. Si i tillë për mua është Daniel Day-Lewis.

 

A jeni besimtar?

Jam besimtar. Dhe nëse njeriu beson në Zot do të thotë që beson edhe në gjithçka që është karakteristikë e besimit.

 

Pse mendoni që jeni kaq i përfolur a janë aferat e ndryshme dhe pasioni për femrat arsyeja?

Të them të drejtën nuk e di. Ndoshta kjo edhe është në trend, pasi ka shumë njerëz në shoubiznes që u pëlqen nëpër mediume të jenë prezent edhe nëpërmjet thashethemeve, mua jo. Por ja që në shumë raste jam përfshirë pa dashur unë. Në parim nuk më pëlqejnë thashethemet dhe as që dua t’i komentoj.

 

Cili do të ishte mesazhi juaj për njerëzit që nuk ndjekin ëndrrën e tyre të merren me aktrim sepse ju mungon guximi apo diçka tjetër?

Ëndërrimet janë motivim në jetë dhe çdo njeri duhet t’i kultivoj ëndrrat për të ardhmen e vet, por edhe duhet të ketë guximin për të mundësuar që ato ëndrra të jetësohen. Nëse njeriu nuk guxon, nuk do e dijë se sa kanë qenë mundësit reale për realizimin e ëndrrave të tij.

 

Cili është mesazhi i juaj për fansat e juaj?

T’i kultivojnë ëndrrat e tyre dhe të ballafaqohen me sfidat në jetë. Ëndrrat dhe sfidat përherë të motivojnë që brenda vetes të gjenerosh energji shtesë për realizmin e ëndrrave dhe tejkalimin e sfidave.