Monday, 23 September 2019 | Lajme: 0

Griezmann: Jam në të njëjtin nivel me Messin dhe Ronaldon

Sulmuesi francez i Atletico Madridit, Antoine Griezmann, pretendon se është në të njëjtin nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldo, si dhe ka treguar se ai pret që të jetë një ndër pretendentët për çmimin “Topi i Artë”.

Griezmann, i cili këtë verë triumfoi me Kombëtaren e Francës në turneun e Kupës së Botës, nuk u emërua në top treshen e çmimit të FIFA-s për lojtarin më të mirë, fituesi i së cilës do të zyrtarizohet më 24 shtator, transmeton Gazeta Express.

Por, përkundër kësaj, Griezmann ka mjaftueshëm besim që ai do të jetë një ndër pretendentët kryesorë për ta fituar “Topin e Artë”. Për dallim nga çmimi i FIFA-s, vendimi për fituesit e “Topit të Artë” merret nga gazetarët, dhe Griezmann mendon se ky i fundit është çmim më prestigjioz.

“Mendoj se Topi i Artë ka më shumë prestigj dhe histori. Kanë mbetur vetëm edhe tre muaj për të dhënë më të mirën tonë. Është e qartë që unë jam lojtar i ndryshëm nga Cristiano Ronaldo, Messi, Neymar apo Kylian Mbappe. Unë jam ndër të mirët, por mund të përmirësohem”, ka thënë Griezmann.

“Unë tentoj të jem sa më i kompletuar që është e mundur. Unë nuk do t’i shënoj 50 gola, por do t’i ndihmoj skuadrës në repartin e sulmit dhe të punoj sa më shumë. Mendoj se tashmë jam në të njëjtin pozitë me Messin dhe Cristianon, dhe e di se edhe lojtarë të tjerë do të vijnë këtu”.

Griezmann kishte qenë afër transferimit në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës, por ai e sqaroi kishte vendosur për të qëndruar për shkak të bashkëlojtarëve të tij, si dhe trajnerit të Atleticos, Diego Simeone.

“Fakti që i thashë jo Barcelonës i dha madhështi Atleticos, Simeones dhe bashkëlojtarëve të mi. Unë u besoj atyre dhe ne do t’i ndihmojmë njëri-tjetrin sa më shumë që të jetë e mundur”, është shprehur Griezmann.

“Unë qëndroj atje ku ndiej se më dëshirojnë. Nëse do të ishte për para, unë do të shkoja në Kinë. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për të ardhmen time. Nuk mendova vetëm për një vit, por mendova për katër apo pesë vite. Nuk është aq e lehtë sa të zgjedhësh një ëmbëlsirë”