Monday, 23 September 2019 | Lajme: 0

“Sandër Mafishja” tregon detajet e komedisë më të njohur shqiptare, “Pallati 176″

Ai është një personazh që na ka bërë të qeshim pafund me rolet që ka vënë në skenë.

Personazhi që e njeh i madh e i vogël është pikërisht ai që ka luajtur në “Pallatin 176” në rolin e Sandrit.

Bëhet fjalë për aktorin dhe regjisorin Ilir Bezhani, i cili ishte sot i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku rrëfeu prapaskenat e komedisë “Pallatit 176”.

Kam zgjedhur komedinë sepse është më e vështirë për t’u luajtur dhe ka satisfaksion më të madh. Është një kompleks i tërë që lidhet direkt me spektatorët. “Pallati 176” është komedi shumë popullore, është luajtur në 600 shfaqje dhe është edhe sot kampione. Kur u filmua kanë qenë 120 spektatorë dhe është nga filmimet e para që është filmuar direkt.

Ka qenë spektakël i suksesshëm. Me këtë komedi janë plotësuar planet e Tratrit Kombëtar, ne luanim çdo natë. Ka ndodhur që kur thonim ndonjë batutë gabim ne, salla e thoshte të saktë. Aq shumë herë ishte dhënë saqë e dinin përmendësh. Ishte çudi dhe s’mund të gaboje. Kolegët e asaj shfaqje kanë qenë shumë punëtorë. Rolandi improvizonte shumë dhe i jepte sens komedisë, improvizonte edhe gjatë shfaqjes. Kishte raste që e kapte edhe gazi gjatë shfaqjes. Kishte raste që ne gjatë javës luanim shfaqje të ndryshme dhe ndonjëherë ngatërronim fjalët. Ishte punë e rëndë dhe aktorët duhen respektuar”, tha Bezhani.

Ai ishte në studio sëbashku me nipin e tij Rei Bezhani për të folur edhe për shfaqjen më të re “Omlet”, shfaqje e cila përmban shumë humor, muzikë, balet, por edhe mesazhe të forta. Shfaqja do të vihet në skenë në datat 21 dhe 22 Nëntor, në orën 19.30, në sallën e Akademisë së Arteve./tvklan.al